Angli-Gjermani, lufta e dy botëve të ndryshme

0
56

Pol Gaskoin me helmetën mbi titullin “Achtung! Dorëzohuni!” nuk është zhdukur ende nga tabloidet angleze dhe nuk duhet ta bëjnë edhe përpara ndeshjes. Anglia dhe Gjermania janë dy botë të ndryshme: thumbohen, luftojnë, por në fund edhe kopjohen. Por retorika tallëse e luftës sportive duket se ka përfunduar në muzeun e një informacioni që nuk ekziston më, sepse është zhdukur edhe nga brezat që përfitonin prej saj, duke ngacmuar ndonjë kujtim, dhimbje apo gëzim personal duke lexuar të tilla batuta.

BUNDESLIGA I RRIT – Dy superfuqitë tashmë shikohen në sy dhe kërkojnë që ta lënë të shkuarën pas, duke pretenduar më të mirën nga njëra-tjetra. Për shembull, talentet në Bundesligë i dërgojnë në fushë kur sapo dalin nga djepi. Rasti i Xhejdën Sanços i çudit gjermanët, të cilët pyesin: vërtetë kanë njerëz kaq të zotë në kombëtaren e tyre sa ta lënë në stol gjatë Europianit? Sulmuesi i Borusias së Dortmundit tashmë konsiderohet një veteran, sepse ka luajtur 137 ndeshje dhe ka shënuar 50 gola (64 asiste) me verdhezinjtë. Por ka lindur në 2000-në dhe që në moshën 17-vjeçare e hodhën në ujërat e thella të kampionatit, duke përfituar nga mosmarrëveshjet me Mançester Sitin, ku ai u rrit. Dinte të notonte, dinte të luante.

Bajerni e pa brenda çerdhes së Çelsit dy vite më parë. E solli në Gjermani, ku edhe kishte lindur Xhamal Musialën, duke bindur nënën nga Shtutgarti. Por nuk u ndalën këtu. “The Germans” arrijnë që t’i ndryshojnë edhe fanellën e kombëtares, pavarësisht se djaloshi kishte luajtur me moshat e “Tre Luanëve” deri në U-21. Sanço do të rikthehet në shtëpi (tashmë ka akordin me Mançester Junajtidin dhe pritet vetëm zyrtarizimi), i fabrikuar nga Bundesliga.

Ashtu siç po fabrikohet edhe Xhud Bellingam, ashtu si Sanço, edhe ai nuk ka luajtur kurrë në Premier Ligë. Nga Birmingemi në Championship, u transferua te Dortmundi verën e shkuar. Një 17-vjeçar i paguar, i cili vetëm sot u bë maxhoren (mbushi 18 vjeç). Borusia pagoi 30 milionë euro, përfshirë bonuset. Një çmim për një lojtar të afirmuar. Babai i mesfushorit kishte oferta nga gjysma e Europës, vizitoi klube të ndryshme, por zgjodhi një të huaj, gjerman.

EKSPORT TRAJNERËSH FITUES – Por fatet kryqëzohen edhe me trajnerët. Dy Champions-et e fituara nga Liverpuli (2019) dhe Çelsi (1 muaj më parë) mbajnë markën gjermane, me të dy trajnerët e thërritur për të rilindur skuadrat pas dështimeve të britanikëve. Jyrgen Klop zëvendësoi irlandezoveriorin Brendën Roxhers në 2015-ën; Tomas Tuhel zuri vendin e Frenk Lampardit vetëm në janar. Nuk janë më kohët e trajnerëve të Bundesligës, të cilët kërkoheshin sepse ofrojnë disiplinë dhe kilometra. Dy personazhe të këtij kalibri, të afirmuar te Dortmundi, sillnin një ndërgjegje taktike të ndryshme, një shprehje të veçantë të futbollit dhe rregull në dhomat e zhveshjes. E qartë, që kanë pasur një zhvillim të ndryshëm.

Klop ndërtoi një Liverpul dominues sezon pas sezoni, duke kaluar nga humbjet e dhimbshme si ajo e finales së Champions-it kundër Realit të Madridit në 2018-ën. Por pastaj e rrëmbeu atë kupë, por edhe kampionatin pas 30 vitesh pritje. Tuhel u tregua i shpejtë si një gjarpër dhe në 4 muaj triumfoi në Champions, ndoshta sepse e dinte se Roman Abramoviç nuk kishte durimin e pronarëve të Liverpulit. Por edhe sepse përkëdheli shpirtin gjerman të skuadrës (Haverc, Verner, Rydiger) dhe krijoi një klimë të ndryshme.

PRONARËT DHE AI 50+1 – Një e katërta e klubeve të Premier Ligës kanë pronarë amerikanë, që janë familje, sipërmarrje apo fonde investimi. Mes tyre janë edhe tri klube të mëdha: Arsenali (Stan Kroenke), Liverpuli (Fenëay Sports Group), Mançester Junajtid (familja Glejzër). Kinezët po luftojnë të tërhequr. Mançester Siti i përket sheikut nga Emiratet, Mansur. Evertonin e drejton anglo-iraniani Moshiri. Lestëri është në duart e familjes tajlandeze Srivadhanaprabha. Dhe mund të vazhdohet…

Për të kufizuar pushtimin e huaj, Anglia po studion modelin gjerman të 50+1 dhe një aplikim të mundshëm në një turne të tyrin, mbi të gjitha në Premier Ligë, ku pandemia ka goditur fort. Por të zhdukësh nga niveli superior sheikët, manjatët, oligarkët dhe fondet e investimit, nuk duket një operacion i mundur në kohë afatshkurtër. Modeli “Gjermani”, në të cilin një pronar i vetëm nuk mund të ketë maxhorancën dhe 50+1 u mbetet tifozëve-aksionarë, reflektohet te Bajerni i Mynihut, që është solid ekonomikisht, por i tillë edhe në suksese (9 kampionate radhazi të fituara). Në Angli, kjo demokraci nuk pëlqehet, por po e studiojnë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here