Ambasadorja e SHBA i kërkon Bashës që Berisha të mos jetë në parlament në shtator: PD nuk mund të hajë bar për hir të një deputeti

0
70

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka folur për mediat pas takimit që zhvilloi me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë e PD. Ambasadorja e SHBA tha se PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi dhe se do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha i shpallur non grata nga DASH.

Ajo i cilësoi vendime të vështira që duhet të merren me qëllim të ardhmen. Ambasadorja Kim theksoi se është përgjegjësi që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend, të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e shqiptarëve.

“Pata një diskutim shumë të mirë me kryetarin e PD Lulzim Basha sot, ishte në vijim të takimit që kemi pasur kur Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA dhe rolin e rëndësishëm që PD ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe për rëndësinë që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj për në BE. Është për t’u theksuar fakti që roli i PD ka qenë i pazëvendësueshëm dhe që PD do të kthehet në Kuvend në shtator.

Kuptojmë që partia dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, por që gjithashtu këto shqetësime janë pasqyruar në raportin e OSBE-ODIHR.

Gjithashtu do të jetë e rëndësishme dhe e domosdoshme që kjo gjë të bëhet në mënyrë domethënëse dhe SHBA-të do vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për demokracinë në Shqipëri.

Ndërsa PD do të rikthehet në Kuvend është e rëndësishme që PS të mund të ngrihet mbi interesat e saj partiake. Dua të nënvizoj dhe njëherë përgjegjësinë që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend, të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e Shqipërisë. E rëndësishme që PD të mendojë për këto çështje. Siç e përmenda më parë, PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj. Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë të shkojë përpara. Për këtë arsye ka vendime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”, deklaroi ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here