Shperthen Bledi Mane: E dogjët Shqipërinë/ Tani përvëloni dhe veten tuaj!

0
79

E dini ju sa vjeç jam unë? Mos më shikoni kështu tê djegur e të përcëlluar, por jam i ri në moshë. Kam lindur këtu mes pyjeve të malësise së Vlorës dhe prillin që shkoi mbusha 20 vjeç. Ua thashê qysh në fillim, jam i ri pavarësisht se dukem si plak i rrudhur. Më bëni derman o vëllezër se harrova fare të prezantohem: Jam Lisi, ose Bungu ose latinisht më thonë Quercus Petraea. U ngjiza një ditë të bukur prilli kur pranvera kishte shpërthyer e ishte harbuar në pyllin tonë. Babai im, Lisi më i gjate e mê i sertë i pyllit kishte dërguar pjalmin me zogjtë e stinës te nëna ime, një çupë lozonjare dhe e brishtë.

Mëma, kjo grua zonjë perkedhelej fshehurazi se këtej nga Labëria të gjithë hiqen si të sertë por së brendshmi janë romantikë e nopranë të papërmbajtshëm. Unë linda e u rrita mes prindërve të mi, mes nje lëndine ku bari dhe lulet nuk i shkeli kurrë në shekuj as romaku, as turku, as greku, as italiani e as gjermani deri para pak ditësh kur korrikun e nxehtë, një kokëkrisur, një mutacion i rracës vendase përvëloi dhe shkatërroi gjithçka. Ishte një shqiptar, një nga këta matrapazët e zonës që ndezi flakën e zjarrin për një kulotë, për një hakmarrje, për një dëshpërim dhe shkrumboi familjen time, kushërinjtë e mi, fisin tonë, gjithe vendin ku ne u lindëm dhe jetojmë për breza të tërë.

Unë jam djegur aq shumë por gjithësesi si më i ri që jam do e marr veten por më dhimbset nëna dhe babai. Ata të dy nuk e marin më veten. Mëma rënkon mes dhimbjeve dhe më tepër e lëndon shëmtimi sepse një Lis femër është gjithmonë kryeneçe për trupin lastar dhe bukurinë natyrale ndërsa babai, ah babai është gati të vetëvritet duke u përkulur sa majtas-djathtas derisa të plaset mbi lëndinën e shkrumbuar. Në pyllin tonë nuk dëgjohet më kënga e zogjve sepse u larguan të lebetitur. Ketu nuk dëgjohen as ledhatimet e erës së degëve dhe gjetheve. Gjithcka ka ngrirë e është nxirë. Këtu dëgjohen vetëm klithma dhe ofshama dhe kur qajnë pemët, natyra trishtohet dhe hakmerret. Mallkimi i florës dhe faunës nuk tretet kurrë!

Eh ç’të duhen pemët oooo shqiptar. Pema ty ti vret sytë, pema ty të acarron se pema ka klorofilë jeshile. Klorofila çliron oksigjen, oksigjeni mbush hundët e mushkëritë e gjallesave me ajër.

Mushkëria ia spërkat oksigjenin gjakut. Gjaku shkon nga zemera në tru, zemra dhe truri punojnë normalisht. Normalisht dhe harmonisht jetojnë edhe kafshët, edhe njerëzit. Por këtu fillon dhemb plaga.

Djeg pemë e pyje që të shfarosësh faunën. Kafshët i xhelozon, i shikon si konkurente!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here