Gjici mohon ndihmen nga Kosova: Ne e kishim fikur zjarrin kur erdhen forcat e Kosoves

0
64

Gjici tha se zjarri u shua pa ardhur ende forcat nga Kosova, të cilët kanë dalë mëngjesin e sotëm në terren, ku më kritike mbetet situata në majën e Rrunës.

Gjici tha se për shkak të terrenit shumë të vështirë, dhe vijës së gjatë të zjarrit prej 5 km, e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri për neutralizimin e flakëve. Kryebashkiaku pranoi se duhen mjete të reja për përballimin e këtyre situatave, pasi sipas tij Kukësi ka në dispozicion vetëm dy zjarrfikëse, ndërsa terreni është shumë i madh dhe i thyer.

“Që nga ora 4 e pasdites së djeshme, dhe deri në orën 01:00 kemi arritur që të evitojmë rrezikun mbi tunelin e Kalimashit, vatra që është shumë e vështirë është ajo e Malit të Rrunës, ka ndërhyrje nga ajri dhe nga toka, për të izoluar tërësisht vijën e zjarrit në majën e Rrunës, e cila është rreth 5 km.

Kjo vatër zjarri ka ardhur nga Thirra në zonën e Mirditës, sipas informacioneve ka pasur një shkëndijë elektrike fillimisht, nuk kemi ende persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Ne jemi realisht në luftë prej një jave që jemi duke u marrë me zjarrin.

Dua të falenderoj mbi të gjitha banorët që gjenden pranë vatrave, që kanë qenë dhe vetë në 24 orë në luftë me zjarret. Natyrisht që forcat e Kosovës kanë ardhur pasi kemi kaluar rrezikun mbi tunel, unë dua të falenderoj pa masë ambasadorin tonë në Kosovë, zotin Minxhozi, dua të falenderoj ministrinë e brendshme dhe të mbrojtjes në Kosovë, erdhën në mbrëmje dhe sot janë nisur për në terren.

Po punojnë bashkë me forcat tona, në majën e Rrunës dhe jashtë tunelit të Kalimashit.

Qarkullimi në rrugën e Kombit nuk është penguar në asnjë moment, ishin rreth 70 forca që po punonin në terren, nuk kanë pasur asnjë problem, nuk ka pasur prolem edhe pse rrezikshmëria ishte e lartë.

Situata u kalua me sukses, pa asnjë problem për qarkullimin e njerëzve.

Në majën e Thirrës duhet të ndërhyhet patjetër me helikopter, për shkak të terrenit. Janë pyje të larta, dhe prandaj duhet të ketë një alternim të ndërhyrjeve nga ajri dhe nga toka, nuk ka rrezik për qendrat e banuara, është një terren tej mase i vështirë, zjarrfikësit kanë qenë aty 24 orë pa pushim.

Nuk kemi deri tani rrezikshmëri për banesat, se vija e zjarrit është larg, vetëm përmes helikopterit ne do mund ta izolojmë këtë vatër.

Me dy mjete që ka Bashkia e Kukësit, dhe 45 forca zjarrfikëse e ka të pamundur që të mbulojë të gjithë territorin. Me këto forca ne monitorojmë edhe zonën e tunelit, është e pamundur që ta kontrollojmë të gjithë territorin e Bashkisë. Na duhen zjarrfikëse dhe për terrenet e thyera që ka në disa njësi administrative”, tha Gjici në Fax News./faxweb.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here