Veliaj: PD dhe Shqipëria do jetë më mirë me largimin e berishizmit

0
53

Duke komentuar shpalljen “non-grata” të Sali Berishës nga SHBA-të dhe përjashtimin edhe nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se ky ishte fundi i pritshëm për të.

“Këtu kam qenë muaj përpara kur ju kam thënë që ai njeri do ta mbyllë me turp, sepse është parim biblik, kuranor: “kush jeton nga shpata, vdes nga shpata”. Pra, po jetove duke shpifur dhe duke u bërë gropën njerëzve, eventualisht do biesh vetë brenda. Është e pashmangshme, është natyra njerëzore, cikli jetës, është historia që na ka mësuar. Siç thashë edhe atëherë, që ai njeri do ta mbyllë me turp, me turp e mbylli”,-u shpreh Veliaj i ftuar në emision “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në “News 24”.

Sa i takon “foltoreve” dhe përpjekjeve të Berishës për tu ridimensionuar në Partinë Demokratike, Veliaj tha se askush nuk beson më se ai mund të bëjë pjesë tek e ardhmja e kësaj force politike.

“Në politikë, si në të gjitha profesionet, biologjia bën të vetën. As ithtarët më të mëdhenj nuk thonë më: “besojmë te Saliu se ai është e ardhmja”. Ai vetëm e ardhmja nuk është, qoftë edhe fizike. Kështu që, unë them që ai nuk ka as kohë të rehabilitohet dhe sigurisht nuk jam këtu të bëj llogaritë e tyre, kur vjen puna te kundërshtarët them se vetë e gatuan këtë lloj kulture, vetë e futën kulturën e shpifjes, të lajmit të rremë, të sajesave, të historive të paqena, të prodhimit të histerive kolektive, do me thënë janë po ata Nishani, me Saliun, me Lulin”,-tha Veliaj.

Nga ana tjetër ai deklaroi se fundi i Saliut do jetë dhe fillimi i fundit të “berishizmit”, duke nënkuptuar bashkë me të edhe sjelljen e kryetarit aktual të PD, Lulzim Basha.

“Unë besoj që me fundin e Saliut është dhe fillimi i fundit të kësaj kulture toksike, ku dhe dy shqiptarë të thjeshtë në kafe shthurin fjalorin për gjëra krejt banale, siç mund të jetë edhe një vend parkimi, sepse e gjithë kjo vjen nga politika. Jo vetëm PD, por Shqipëria do jetë më e mirë me largimin e Berishës dhe berishizmit. Ajo që pashë në Parlament, me Lulin që gris fletët e votimit, thashë ka ikur Saliu, por nuk ka ikur berishizmi. Ai po mundohet të bëjë Saliun e vogël. Po ta kuptojnë se njerëzit janë lodhur nga këto muhabete, nga kjo frymë përçarëse, nga këto toksina dhe helme ndoshta dhe ata do kenë një shans për të fituar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here