Kaos me biletat për derbin, studentët mbajnë “peng”… stadiumin

0
120

Kur duhen edhe dy ditë nga derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani (të hënën ora 19:45 në stadiumin “Air Albania”), ka një problem madhor sa i përket pranisë së tifozëve. Deri më tani autoritetet shëndetësore lejojnë pjesëmarrjen në vetëm 30% të kapacitetit të stadiumit.

Klubi i Tiranës, si pritës në këtë ndeshje, ka dërguar një shkresë zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë duke kërkuar hapjen e stadiumit për derbin në masën 100%, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e të gjithë tifozëve që duan ta ndjekin këtë sfidë nga “Air Albania”. Mirëpo, deri të premten autoritetet shëndetësore nuk i kishin kthyer asnjë përgjigje klubit bardheblu duke lënë gjithçka pezull për këtë kërkesë.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se kjo zvarritje ka bërë që një numër i madh biletash të bllokohet për momentin. Nga ana tjetër, burime të sigurta konfirmojnë se janë shitur rreth 7000 bileta kur duhen edhe dy ditë nga zhvillimi i takimit. Në këtë histori, ajo që habit më shumë është fakti që Ministria e Shëndetësisë bën një sjellje me dy standarde duke iu mohuar tifozëve të dy klubeve historike të futbollit shqiptar të mbushin stadiumin në një derbi. Vetëm dy javë më parë në “Air Albania” kishte 22.500 spektaktorë, me qeverinë që i dha një leje speciale FSHF-së të shiste të gjitha biletat për Shqipëri-Poloni.

Por, çfarë i pengon tani autoritetet për të dhënë OK-in edhe për klubet? Gazeta zbulon se Ministria e Shëndetësisë i druhet një aprovimi të kërkesës së bërë nga klubi i Tiranës, edhe për faktin se ka një çështje të hapur me studentët në universitetet shqiptare, teksa në auditorë lejohen të futen vetëm ata që kanë bërë vaksinën. Kësisoj, hapja e plotë e stadiumit mund të ndikonte në këtë moment në polemikat që po bëhen për çështjen e studentëve. Megjithatë, sërish kjo zvarritje për hapjen e plotë të stadiumeve është e turpshme.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here