2 vite nga tragjedia e 26 nëntorit! 51 persona ndërruan jetë nën rrënoja

0
27

Sot bëhen dy vite nga tërmeti më i fuqishëm që tronditi Shqipërinë. Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi Durrësin dhe Tiranën dhe disa bashki të tjera, duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur qindra të tjerë. Pasojat e këtij tërmeti tronditës ishin akoma më tragjike, pasi u prekën plot 202 mijë njerëz, teksa u shkatërruan qindra banesa.

Epiqendra e tërmetit 6.4 ballë, ishte në Durrës. Fillimisht vendi u godit nga një valë më pak e fuqishme për t’u ndjekur nga një tjetër që u ndje në gjithë vendin dhe përreth. Qindra godina u shembën duke zënë poshtë qytetarë, pak prej të cilëve ishin aq me fat saqë t’i mbijetonin orëve të tëra në mungesë oksigjeni dhe peshë mbi trupat e tyre.

Familja më e dëmtuar nga lëkundjet e tokës, ishte ajo e Albert Carës. Kryefamiljari është personi i vetëm që i shpëtoi rrënimit të godinës ku jetoi prej vitesh, por humbi 9 anëtarët e familjes. Albert Cara, nga Thumana dëshironte që të qëndronte vetë pranë forcave speciale teksa gërrmonin nën rrënoja, por edhe gjendja e tij u përkeqësua, ndaj u dërgua në Itali për mjekim më të specializuar. Për disa muaj, Cara qëndroi jashtë vendit me idenë se kur të kthehej do të takohej me fëmijët e tij dhe me bashkëshorten.

51 persona humbën jetën nën rrënoja, 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Ndërkohë, pas tërmetit humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri në spital nga plagosjet gjatë lëkundjeve dhe një tjetër përmes vetëvrasjes, për shkak të stresit post-traumatik.

Pasojat u ndjenë në shumë bashki; Shijak, Krujë, Kamëz, Kavajë, Kurbin, Lezhë, Rrogozhinë dhe Mirditë. Dëmet më të mëdha u regjistruan në Kodër-Thumanë, ku u shemb një pallat 5 katësh, ndërkohë që dëme të mëdha përjetoi edhe Laçi.

300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për t’iu ardhur në ndihmë për strehim rreth 1,000 personave. Aktualisht vijon procesi i rindërtimit në shumë bashki, ndërsa ka familje që kanë hyrë në banesat e tyre të reja si dhe shumë të tjera që pritet të futen këto ditë, duke shpresuar për një jetë të re.

Gjurmët e natës së 26 nëntorit të dy viteve më parë janë në kujtesën e kujtdo, që sot kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.

Kryeministri Edi Rama kujtoi mëngjesin e sotëm tërmetin tragjjik, duke e cilësuar si një nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit. Kryeministri shton se mbetet mirënjohës për të gjithë ato shtete që u solidarizuan me të goditurit nga fatkeqësia, dhe premton se do të vijojnë të punojnë për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë.

(a.b)/dosja.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here